top of page

Shenaj Shala mysafire në ligjëratën e Komunikimit Akademik në Kolegjin Tempulli

24 hours ago
1 min read

Kolegji Tempulli organizon ligjëratë të veçantë me eksperten e komunikimit dhe trajneren e aftësive profesionale, Shenaj Shalën.

Më 29 tetor 2026, në kuadër të lëndës Komunikimi Akademik, studentët e Kolegjit Tempulli do të kenë mundësinë të marrin pjesë në një ligjëratë të veçantë me mysafiren Shenaj Shala, eksperte e komunikimit profesional dhe trajnere e aftësive të buta.

Shenaj Shala ka përvojë shumëvjeçare në fushën e komunikimit profesional, të folurit publik dhe zhvillimit të aftësive profesionale. Gjatë karrierës së saj, ajo ka shërbyer si Shefe e Protokollit dhe Këshilltare Politike e Kryeministrit të Republikës së Kosovës, ka bashkëpunuar me institucione vendore dhe ndërkombëtare, si dhe ka ligjëruar lëndën e të folurit publik në RIT Kosovo.

Ligjërata synon të kontribuojë në zhvillimin e aftësive komunikuese të studentëve, duke u ofruar atyre njohuri dhe përvoja praktike mbi rëndësinë e komunikimit efektiv, prezantimit të ideve me vetëbesim dhe të folurit publik. Këto aftësi janë thelbësore si për suksesin gjatë studimeve, ashtu edhe për zhvillimin e tyre të mëtejshëm profesional.

Përmes ndërveprimit me një profesioniste me përvojë të gjerë, studentët do të kenë mundësi të zgjerojnë njohuritë e tyre dhe të kuptojnë më mirë rëndësinë e komunikimit në mjediset akademike dhe profesionale.

Detajet e ligjëratës:

  • Data: 29 tetor 2026

  • Ora: 15:00

  • Vendi: Salla 31, Kolegji Tempulli

Kolegji Tempulli vazhdon të mbështesë ndërthurjen e njohurive teorike me përvojat praktike, duke krijuar mundësi për studentët që të mësojnë nga profesionistë të fushave të ndryshme dhe të zhvillojnë kompetencat e nevojshme për tregun e punës.


 
 
bottom of page