Përfundoi Trajnimi i Trajnerëve për aftësitë digjitale në transport dhe logjistikë
Në Kolegjin Tempulli në Prishtinë u mbajt, nga 17 deri më 21 nëntor 2026, Trajnimi i Trajnerëve (ToT) në kuadër të projektit "Digital Tools and Digital Skills Training for the Transport and Logistics Sector in Kosovo and Albania", që zbatohet me mbështetjen e programit RECONOMY.
Trajnimi u organizua nga Instituti për Siguri Rrugore dhe Hulumtime në Transport (ISHRRT) për Kolegjin Tempulli dhe u udhëhoq nga Master Trainer-i Shpëtim Lajqi. Gjatë pesë ditëve dhe 24.5 orëve, 8 pjesëmarrës, trajnerë të Kolegjit Tempulli dhe një instruktor, i ndoqën të gjitha sesionet, me pjesëmarrje 100%.
Çdo ditë iu kushtua një moduli të kurrikulës së projektit, të dhënë nga një ekspert i fushës:
ERP, TMS dhe WMS në praktikë, me trajnerin Gjelosh Vataj
Dokumentet elektronike të transportit dhe sistemet doganore, me trajnerin Flamur Salihu
Analiza e të dhënave, KPI dhe vendimmarrja, me trajnerin Eflorim Hajra
Siguria kibernetike, komunikimi digjital dhe AI praktike për logjistikë, me trajnerin Behar Muji
Flota, telematika, aplikacionet mobile dhe magazina e mençur, me ESG, karbonin dhe CBAM, me trajnerin Muhamed Krasniqi
Përveç përmbajtjes së moduleve, trajnimi trajtoi metodologjinë e të nxënit të të rriturve, përdorimin e mjeteve digjitale në mësimdhënie, planifikimin e sesioneve dhe vlerësimin e pjesëmarrësve. Trajnimi u ndërtua mbi Vlerësimin e Boshllëkut të Aftësive Digjitale për sektorin e transportit dhe logjistikës në Kosovë dhe Shqipëri.
Tani trajnerët janë të përgatitur të zbatojnë kurrikulat në trajnimet me grupet përfituese të projektit. Certifikatat lëshohen bashkërisht nga ISHRRT dhe Kolegji Tempulli.
RECONOMY është një program për zhvillim ekonomik gjithëpërfshirës dhe të gjelbër i Agjencisë Suedeze për Bashkëpunim Ndërkombëtar për Zhvillim (Sida), i zbatuar nga HELVETAS Swiss Intercooperation në vendet e Partneritetit Lindor dhe të Ballkanit Perëndimor.
.png)


