Një dritë që na bashkon – 93 fjonga të bardha në kujtim të viktimave të trafikut rrugor

Me ndezjen e qirinjve dhe vendosjen e 93 fjongove të bardha, në Shkallët e Arbërisë në Prishtinë, u përmbyllën aktivitetet për shënimin e Ditës Botërore të Përkujtimit të Viktimave të Trafikut Rrugor – WDoR 2026.
Nën moton “Një dritë që na bashkon”, ky aktivitet simbolik mblodhi përfaqësues të institucioneve, organizatave, stafit, studentëve dhe qytetarë, të cilët u bashkuan për të nderuar kujtimin e 93 personave që humbën jetën në aksidente trafiku gjatë këtij viti në Kosovë.
Ndezja e qirinjve dhe vendosja e fjongove të bardha përfaqësuan një moment reflektimi, solidariteti dhe respekti për jetët e humbura, si dhe për familjet që vazhdojnë të përballen me dhimbjen e humbjes së më të dashurve të tyre.
Aktiviteti u organizua nga Kolegji Tempulli, në bashkëpunim me AMRKS dhe Policinë e Kosovës, duke ritheksuar rëndësinë e përgjegjësisë së përbashkët për parandalimin e aksidenteve dhe ndërtimin e një kulture më të sigurt të komunikacionit rrugor.
Një falënderim i veçantë i dedikohet Policisë së Kosovës, e cila për 11 vite radhazi ka qëndruar pranë këtij organizimi, duke mbështetur vazhdimisht aktivitetet ndërgjegjësuese dhe duke kontribuar në promovimin e sigurisë rrugore.
Përmes këtij aktiviteti, përcollëm edhe një mesazh të qartë: asnjë jetë nuk duhet të humbet në rrugë. Përkujtimi i viktimave duhet të shoqërohet me veprime konkrete, më shumë përgjegjësi dhe angazhim të përbashkët për sigurinë e të gjithë pjesëmarrësve në trafik.
KUJTO. MBËSHTET. VEPRO.
Sepse pas çdo numri qëndron një jetë, një familje dhe një histori që nuk duhet harruar.
.png)


