top of page

Me sukses u mbajt trajnimi dyditor online “Logjistika dhe Parimet ESG”

11 minutes ago
2 min read

Në kuadër të projektit SEE-GL (Skills and Employment Enhancement in Green Logistics), u mbajt me sukses trajnimi dyditor online me temën “Logjistika dhe Parimet ESG (Environmental, Social and Governance)”, me pjesëmarrjen e profesionistëve, studentëve dhe të interesuarve nga Kosova, si dhe pjesëmarrësve ndërkombëtarë nga vendet partnere të projektit.

Trajnimi u udhëhoq nga Sara Fusha Osmani, trajnere për ESG, dhe kishte për qëllim ngritjen e njohurive dhe zhvillimin e aftësive profesionale lidhur me integrimin e parimeve ESG në sektorin e transportit dhe logjistikës, duke trajtuar rëndësinë e qëndrueshmërisë mjedisore, përgjegjësisë sociale dhe qeverisjes së mirë në operacionet dhe praktikat e biznesit.

Gjatë dy ditëve të trajnimit, pjesëmarrësit patën mundësinë të njihen më nga afër me konceptet dhe parimet kryesore të ESG-së, rëndësinë e zbatimit të tyre në sektorin e transportit dhe logjistikës, si dhe me sfidat dhe mundësitë që sjellin kërkesat e reja të tregut evropian.

Një nga momentet e rëndësishme të trajnimit ishte edhe prezantimi i platformës e-learning të projektit SEE-GL, një platformë unike e këtij lloji, e cila synon të shërbejë si një resurs i rëndësishëm për profesionistët, trajnerët dhe ekspertët e sektorit të Transportit dhe Logjistikës. Platforma ofron qasje në materiale edukative dhe përmbajtje profesionale mbi parimet ESG, duke mbështetur zhvillimin e vazhdueshëm të kompetencave dhe përgatitjen e profesionistëve të cilët në të ardhmen do të angazhohen në ligjërimin dhe ofrimin e trajnimeve në këtë fushë.

Gjithashtu, gjatë trajnimit, kolegu Nermin Palic nga Bosnja dhe Hercegovina prezantoi të arriturat dhe rezultatet kryesore të projektit SEE-GL, duke informuar pjesëmarrësit për progresin e projektit, aktivitetet e realizuara dhe kontributin e tij në avancimin e aftësive dhe njohurive në fushën e logjistikës së gjelbër.

Pjesëmarrja vendore dhe ndërkombëtare krijoi një hapësirë të vlefshme për shkëmbimin e përvojave, diskutimin e praktikave të mira dhe forcimin e bashkëpunimit ndërmjet profesionistëve nga vendet partnere të projektit.

Përmes aktiviteteve të tilla, projekti SEE-GL synon të kontribuojë në zhvillimin e aftësive të gjelbra, avancimin e kompetencave profesionale dhe përgatitjen e fuqisë punëtore për transformimin e qëndrueshëm të sektorit të transportit dhe logjistikës.

Falënderojmë të gjithë pjesëmarrësit për interesimin dhe angazhimin e tyre, si dhe kolegun Nermin për prezantimin e të arriturave të projektit SEE-GL dhe ndarjen e rezultateve me të gjithë pjesëmarrësit!

 
 
bottom of page