top of page

Profesorët e Kolegjit Tempulli publikojnë edhe një hulumtim shkencor në revistë të indeksuar në SCOPUS

  • 4 minutes ago
  • 1 min read

Profesorët e Kolegjit Tempulli, Prof. Dr. Ema Berisha Krasniqi dhe Prof. Dr. Muhamed Krasniqi, kanë publikuar, në bashkëpunim me studiues të tjerë, punimin shkencor “Regional Logistics Centers for Efficient Cross-Border Freight Distribution: An Empirical Analysis” në revistën ndërkombëtare International Journal of Innovative Technology and Interdisciplinary Sciences (IJITIS), të indeksuar në SCOPUS.


Hulumtimi përfaqëson një vazhdimësi dhe avancim të punës kërkimore-shkencore të Prof. Dr. Ema Berisha Krasniqi, duke u mbështetur në bazën kërkimore të zhvilluar gjatë studimeve të saj të doktoratës dhe duke e zgjeruar atë përmes metodave të avancuara të modelimit, optimizimit dhe analizës statistikore.


Studimi trajton rolin strategjik të qendrave rajonale logjistike në rritjen e efikasitetit të transportit të mallrave dhe shpërndarjes ndërkufitare, me fokus në Kosovë dhe Ballkanin Perëndimor. Rezultatet ofrojnë bazë shkencore për planifikimin dhe zhvillimin e qendrave logjistike dhe për integrimin më efikas të rajonit në korridoret dhe zinxhirët evropianë të transportit dhe furnizimit.


Në aspektin metodologjik, analiza përfshin 100 skenarë transporti, ndërsa qëndrueshmëria e rezultateve dhe ndikimi i pasigurisë janë vlerësuar përmes 10,000 simulimeve Monte Carlo. Rezultatet dëshmojnë potencialin e qendrave logjistike për përmirësimin e kostos së transportit, kohës së dërgesave, shfrytëzimit të kapaciteteve dhe produktivitetit të sistemit.


Ky publikim përfaqëson një tjetër kontribut të stafit akademik të Kolegjit Tempulli në kërkimin shkencor ndërkombëtar dhe konfirmon orientimin e institucionit drejt cilësisë akademike, ndërkombëtarizimit dhe zhvillimit të njohurive shkencore me zbatim konkret në sektorin e transportit dhe logjistikës.


Punimi është publikuar në volumin me te ri të International Journal of Innovative Technology and Interdisciplinary Sciences (IJITIS), Vol. 9, No. 3, fq. 1852–1884.


 
 
bottom of page