top of page

Ministria e Mbrojtjes e Republikës së Kosovës vendos bashkëpunim institucional me Kolegjin Tempulli


Kolegji Tempulli dhe Ministria e Mbrojtjes (MM) e Republikës së Kosovës/Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) kanë nënshkruar një Memorandum Mirëkuptimi, me qëllim të vendosjes së një kuadri të qëndrueshëm bashkëpunimi institucional për ngritjen e kapaciteteve profesionale, akademike dhe teknike të personelit të MM/FSK-së.


Ky Memorandum dëshmon se FSK, krahas bashkëpunimeve të vazhdueshme me partnerët ndërkombëtarë, ngritjen dhe zhvillimin e kapaciteteve të veta operacionale dhe profesionale ia beson edhe institucioneve vendore, duke e pozicionuar Kolegjin Tempulli si partner të besueshëm dhe aset kombëtar në fushën e programeve studimore dhe trajnimeve profesionale.


Marrëveshja  e nënshkruar nga Sekretari i Përgjithshëm i MM-FSK, z. Gafurr Dugolli dhe Drejtori i Kolegjit Tempulli, Prof. Dr. Muhamed Krasniqi, synon forcimin e partneritetit akademiko-profesional në fusha kyçe që lidhen me sigurinë e lëvizjes, përfshirë transportin rrugor dhe logjistikën, sistemet inteligjente të transportit, aftësimin e shoferëve dhe instruktorëve të shoferëve, shërbimet sociale dhe transportin e veçantë, operimin me makineri të rënda, sigurinë dhe shëndetin në punë, si dhe zhvillimin e qëndrueshëm dhe mbrojtjen e mjedisit.


Një komponent i veçantë i bashkëpunimit lidhet me organizimin e kampeve edukative dhe ushtrimeve praktike, me fokus në sigurinë rrugore, reagimin emergjent, menaxhimin e rreziqeve, mbrojtjen civile dhe edukimin qytetar, me synim rritjen e kulturës së sigurisë, zhvillimin e aftësive praktike dhe forcimin e kohezionit social.


Pas nënshkrimit të marrëveshjes, Prof. Dr. Muhamed Krasniqi deklaroi se: “Kolegji Tempulli ka tashmë një traditë mbi dy dekada të bashkëpunimit institucional, e cila ka filluar që nga koha e TMK-së dhe ka vijuar ndër vite deri më sot. Bazuar në akreditimet dhe autorizimet kombëtare dhe ndërkombëtare, këtë Memorandum e konsideroj si një hap strategjik në lidhjen e arsimit të lartë dhe trajnimit profesional me nevojat reale të sektorit të mbrojtjes dhe sigurisë së Republikës së Kosovës, duke konfirmuar rolin e Kolegjit Tempulli si partner institucional i besueshëm dhe kontribuues konkret në zhvillimin e kapaciteteve kombëtare.”

 
 
bottom of page