Kolegji Tempulli organizon trajnim për stafin akademik mbi metodat e testimit dhe vlerësimit dhe zbatimin e ECTS-së
Para fillimit të vitit të ri akademik, Kolegji Tempulli ka organizuar trajnim për stafin akademik, me fokus në metodat e testimit dhe vlerësimit të studentëve, harmonizimin konstruktiv (Constructive Alignment), Sistemin Evropian të Transferimit dhe Akumulimit të Kredive (ECTS) dhe zbatimin e Manualit për ECTS.

Trajnimi kishte për qëllim avancimin e kompetencave pedagogjike dhe profesionale të stafit akademik, si dhe harmonizimin e praktikave të mësimdhënies, të nxënit dhe vlerësimit me standardet e cilësisë në arsimin e lartë.
Gjatë trajnimit, vëmendje e veçantë iu kushtua përzgjedhjes së metodave të përshtatshme të vlerësimit në raport me rezultatet e synuara të të nxënit, kombinimit të vlerësimit të vazhdueshëm me atë përfundimtar, përcaktimit të kritereve të qarta dhe transparente, si dhe përdorimit të formave të ndryshme të testimit sipas natyrës së lëndës. Gjithashtu, u trajtua rëndësia e harmonizimit të rezultateve të të nxënit, aktiviteteve mësimore dhe metodave të vlerësimit, si dhe e feedback-ut konstruktiv në mbështetje të përparimit akademik të studentëve.
Një pjesë e rëndësishme e trajnimit iu kushtua Sistemit ECTS dhe Manualit për ECTS, me theks në kuptimin dhe zbatimin e kredive në përputhje me ngarkesën e studentëve, rezultatet e të nxënit dhe organizimin e procesit mësimor. U theksua rëndësia e zbatimit të një qasjeje të harmonizuar në përcaktimin e ngarkesës së punës së studentëve, planifikimin e aktiviteteve mësimore dhe lidhjen e tyre me rezultatet e synuara të të nxënit.
Përmes këtij aktiviteti, Kolegji Tempulli synon të forcojë kapacitetet e stafit akademik për zbatimin e praktikave të qëndrueshme dhe transparente të vlerësimit, të sigurojë kuptim të përbashkët të kërkesave të ECTS-së dhe të mbështesë zbatimin e një qasjeje të harmonizuar në të gjitha programet e studimit.
Zhvillimi i vazhdueshëm profesional i stafit akademik dhe përmirësimi i cilësisë së mësimdhënies dhe të nxënit mbeten prioritete të Kolegjit Tempulli, në funksion të përmirësimit të përvojës akademike dhe arritjeve të studentëve.
.png)


