top of page

Konferenca e 11-të Ndërkombëtare në Kolegjin Tempulli trajtoi sigurinë në punë dhe transport si faktor kyç për zhvillim të qëndrueshëm

ree


ree

Prishtinë, 15 tetor 2025

Sot në Kolegjin Tempulli u mbajt Konferenca e 11-të Ndërkombëtare me temën “Siguria në Punë dhe në Transport – Qasje të Integruara për Zhvillim të Qëndrueshëm dhe për Mbrojtjen e Jetës”, e organizuar nga Kolegji Tempulli, në bashkëpunim me Asociacionin Kosovar të Motorizimit AMRKS dhe partnerë institucionalë e ndërkombëtarë.

Në hapje të konferencës morën fjalën Dr. Sc. Muhamed Krasniqi, Drejtor i Kolegjit Tempulli, z. Berat Ganiqi, Shef i Kabinetit të Ministrit në Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, z. Besnik Vasolli, Drejtor Ekzekutiv i Odës Ekonomike Gjermano-Kosovare, si dhe znj. Martina Hakl, Zyrtare për Çështje Sociale dhe Mjedisore në Komunitetin e Transportit, e cila iu bashkua konferencës online.

Të gjitha sesionet dhe panelet e konferencës ishin jashtëzakonisht përmbajtësore, me të dhëna të rëndësishme, analiza profesionale dhe diskutime shumë konstruktive ndërmjet përfaqësuesve të institucioneve, sektorit privat, sindikatave dhe akademisë.

Nëpërmjet katër paneleve tematike, pjesëmarrësit trajtuan:

· Perspektivat institucionale dhe sindikale mbi sigurinë në punë;

· Standardet vendore dhe direktivat e BE-së për shëndetin dhe sigurinë në punë;

· Rolin e trajnimeve dhe certifikimeve profesionale në ngritjen e cilësisë së punës;

· Dhe ndikimin e politikave, edukimit dhe inovacionit në avancimin e sigurisë rrugore.

Përfaqësuesi i Inspektoratit të Punës, z. Arton Çerkini, theksoi rëndësinë e zbatimit rigoroz të ligjeve dhe rritjes së inspektimeve për të parandaluar shkeljet e rregullave të sigurisë në vendin e punës. Ai nënvizoi se “parandalimi është më efektiv se ndëshkimi”, duke ftuar punëdhënësit të investojnë më shumë në kushte të sigurta pune dhe në trajnime për punonjësit.

Nga Policia e Kosovës, znj. Lendita Gashi theksoi se bashkëpunimi ndërinstitucional është kyç për rritjen e sigurisë rrugore. Ajo vuri në dukje se edukimi i hershëm i qytetarëve dhe përdorimi i teknologjisë për monitorim të trafikut janë ndër prioritetet e Policisë për uljen e numrit të aksidenteve.

Përfaqësuesi i industrisë, z. Nexhat Pireva nga kompania Elbau Sh.p.k., solli përvoja konkrete nga sektori privat, duke theksuar se siguria dhe produktiviteti shkojnë dorë për dore. Ai theksoi se kompanitë që investojnë në standarde të sigurisë fitojnë jo vetëm reputacion, por edhe efikasitet më të lartë në punë.

Nga ana tjetër, Jusuf Azemi nga Sindikata e Punëtorëve të Sektorit Privat, ngritën çështjen e kushteve të vështira të punës dhe mungesës së mbikëqyrjes efektive në disa sektorë. Ai kërkoi më shumë mbështetje institucionale dhe përfshirje të sindikatave në hartimin e politikave për sigurinë dhe mirëqenien e punëtorëve.

Në fund, përfaqësuesit e akademisë theksuan nevojën që arsimi profesional dhe universitetet të luajnë një rol më aktiv në edukimin e brezave të rinj për sigurinë në punë dhe në transport, përmes kurrikulave të azhurnuara dhe trajnimeve praktike.

Në përmbyllje të konferencës u theksua se siguria në punë dhe transport mbetet një përgjegjësi e përbashkët, që kërkon bashkëpunim të ngushtë mes institucioneve publike, sektorit privat, sindikatave dhe akademisë.

Udhëheqësit e institucioneve dhe ekspertët pjesëmarrës u pajtuan se nevojitet më shumë investim në arsim, trajnime praktike, inspektime efektive dhe ndërgjegjësim publik, për të parandaluar aksidentet dhe për të mbrojtur jetën e qytetarëve.

Konferenca përfundoi me ndarjen e certifikatave të mirënjohjes për folësit dhe pjesëmarrësit, si dhe me zotimin për të vazhduar bashkëpunimin drejt ndërtimit të një kulture të qëndrueshme të sigurisë në punë dhe në transport në Kosovë.

 
 
bottom of page