top of page

Fillon Java e Përkujtimit për Viktimat e Trafikut, Rritje e numrit të aksidenteve me fatalitet në vitin 2025

Sot, në Kolegjin Tempulli u lansuan aktivitetet zyrtare të shënimit të Ditës Botërore të Përkujtimit të Viktimave në Trafikun Rrugor (#WDoR2025), të organizuara nga AMRKS, Kolegji Tempulli dhe Instituti për Siguri Rrugore dhe Hulumtime në Transport, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, institucionet partnere, ekspertë të trafikut dhe mediat.


Në hapje të ngjarjes, Prof. Muhamed Krasniqi nga Kolegji Tempulli theksoi rëndësinë e kësaj jave për shoqërinë kosovare, përkushtimin e përbashkët për siguri rrugore dhe partneritetin e vazhdueshëm me nismën globale WDoR për 10 vjet rresht. Ai potencoi se kjo ditë është një moment i thellë kujtimi, reflektimi dhe mobilizimi për të ndërmarrë veprime konkrete që shpëtojnë jetë.


Më pas, në emër të Policisë së Kosovës, Nënkolonel Jeton Rexhepi vlerësoi bashkëpunimin me organizatorët e Javës së Përkujtimit dhe theksoi mbështetjen e vazhdueshme të Policisë për iniciativat që promovojnë ndërgjegjësimin publik, edukimin e gjeneratave të reja dhe ndërtimin e një kulture të sigurisë rrugore. Ai theksoi se Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar çdo ditë në terren për mbrojtjen e jetës së qytetarëve dhe fuqizimin e një mjedisi të sigurt rrugor.


Në prezantimin e tij, Nënkolonel Rexhepi paraqiti të dhënat më të fundit për sigurinë rrugore:

  • 97 persona kanë humbur jetën në aksidente rrugore në vitin 2025 deri më sot

    (krahasuar me 87 viktima në të njëjtën periudhë të vitit 2024).

  • Kosova renditet më së miri në rajon për nivelin e sigurisë rrugore.

Sipas statistikave të Policisë së Kosovës, krahasimi i të dhënave në një hark dhjetëvjeçar dëshmon progres të qartë dhe të qëndrueshëm në fushën e sigurisë rrugore. Në vitin 2011 janë regjistruar 139 aksidente me fatalitet, me 157 persona të vdekur, ndërsa në vitin 2024 numri i aksidenteve me pasojë fatale ka rënë në 89 raste, me 97 viktima.


Këto të dhëna pasqyrojnë ulje të konsiderueshme të fataliteteve dhe të aksidenteve të rënda gjatë viteve, duke dëshmuar efektivitetin e masave të ndërmarra nga Policia e Kosovës dhe institucionet partnere në kontrollin e trafikut, edukimin e qytetarëve dhe zbatimin e politikave parandaluese.


Megjithatë, rritja e viktimave në periudhën e deritanishme të vitit 2025 konsiderohet alarm për vazhdimin e punës së përbashkët dhe intensifikimin e veprimeve parandaluese në terren.

Po ashtu u theksua se:

  • Gjatë sezonit veror, në Kosovë hyjnë deri në 2 milion automjete shtesë.

  • Në vitin 2024, në vend kanë qarkulluar mbi 3 milion automjete.

  • Numri i patentë-shoferëve: 475,902 (2011) → 905,638 (2024) (+90.3%).

  • Automjetet e regjistruara: 189,943 (2011) → 501,452 (2024) (+164%).


Në përmbyllje të ceremonisë, Sara Fusha Osmani prezantoi agjendën e plotë të aktiviteteve të javës, e cila përfshin aktivitete edukative, sensibilizuese dhe përkujtimore me nxënës, studentë, Policinë e Kosovës, institucione dhe komunitetin e gjerë (Agjenda e detajuar është bashkangjitur).


Aktivitetet vazhdojnë gjatë javës dhe kulmojnë me ceremoninë “Ndezja e Qirinjve” më 16 nëntor, ora 17:00, pranë monumentit “Newborn”.

 

 
 
bottom of page