Filloi edicioni i Shkollës Verore për Transport Publik pa Barriera 2025
- info7836141
- Jul 4
- 1 min read

Me shumë entuziazëm ka filluar edicioni i sivjetmë i Shkollës Verore për Transport Publik pa Barriera (BFPT) 2025, e organizuar nga Wirtschaftsuniversität Wien (WU) në Vjenë së bashku me shumë bashkëorganizator, ndër ta edhe Kolegji Tempulli.
Takimi i parë u zhvillua online, ku studentët pjesëmarrës, ligjëruesit dhe organizatorët patën rastin të njihen me njëri-tjetrin, të prezantojnë bagazhin e tyre akademik dhe të ndajnë pritshmëritë për këtë eksperiencë ndërkombëtare.
Programi i Shkollës Verore do të zhvillohet në format të kombinuar, fizikisht në Vjenë dhe online, duke përfshirë ligjërata, punëtori dhe aktivitete interaktive.
Kolegji Tempulli këtë vit përfaqësohet me dy ligjërues në rolin e stafit akademik, MSc. Sara Fusha Osmani dhe Prof. Valerie Bojku – të cilat do të mbajnë ligjërata për temat që lidhen me fushatat ndërgjegjësuese dhe përfshirjen e grupeve të margjinalizuara në planifikimin e mobilitetit urban.
Gjithashtu, me krenari njoftojmë se dy studentët tanë, Narti dhe Albnori, janë përzgjedhur të marrin pjesë në këtë shkollë verore, duke përfituar nga një përvojë e veçantë ndërkombëtare dhe bashkëpunuese në një temë kaq të rëndësishme siç është lëvizshmëria gjithëpërfshirëse.
Një hap tjetër i rëndësishëm për Tempullin drejt promovimit të transportit publik pa barriera!