3 Dhjetori – Dita Ndërkombëtare e Personave me Aftësi të Kufizuara
- info7836141
- 3 days ago
- 1 min read

Tempulli shënon këtë ditë në nderim dhe mbështetje të atyre që kanë humbur shëndetin nga aksidentet në rrugë, në punë dhe në industri.
Sot kujtojmë me respekt të thellë të gjithë ata që kanë mbetur me aftësi të kufizuara si pasojë e aksidenteve rrugore, hekurudhore, por edhe incidenteve të shumta që ndodhin në vendet e punës, në ndërtimtari, logjistikë, transport, bujqësi dhe sektorë të tjerë ku rreziku është pjesë e përditshmërisë. Pas çdo statistike fshihet një histori jete, një familje, një sfidë e përditshme dhe një betejë e vazhdueshme për dinjitet, shëndet dhe pavarësi.
Në Kosovë, shumë bashkëqytetarë vazhdojnë të përballen me pasoja të rënda afatgjata nga aksidentet e trafikut dhe të punës, pasoja që në shumë raste, do të mund të parandaloheshin me më shumë kujdes, standarde sigurie, edukim profesional dhe përgjegjësi.
Tempulli angazhohet prej mbi tri dekadash në edukimin dhe trajnimin për sigurinë rrugore e profesionale, me synimin që asnjë njeri të mos humbasë jetën, shëndetin apo aftësitë për shkak të pakujdesisë në trafik apo në vendin e punës.
Sot, në takimin e organizuar me rastin e kësaj Dite, profesori Muhamed Krasniqi ndër të tjera theksoi: “Ne shprehim solidaritet me të gjitha viktimat dhe familjet e tyre dhe mbështesim fuqishëm përfshirjen dhe fuqizimin e personave me aftësi të kufizuara. Përveç solidarizimit dhe mbështetjes, riafirmojmë angazhimin tonë për një kulturë të përgjegjshme dhe të sigurt, si në rrugë ashtu edhe në hapësirat e punës, kudo që ndodhemi.”
.png)






