Kolegji Tempulli nikoqir i Konferencës së 6-të Ndërkombëtare AHI EVRAN për Kërkime shkencore
- Jun 9
- 2 min read


4-7 qershor 2026
Kolegji Tempulli ishte mikpritës dhe bashkë organizator i Konferencës së 6-të Ndërkombëtare AHI EVRAN për Kërkime shkencore, në partneritet me Universitetin Ahi Evran nga Kırşehir dhe Institutin për Zhvillim ekonomik dhe kërkime sociale (IKSAD) nga Turqia.
Pas organizimeve të suksesshme në vende të ndryshme të botës, edicioni i gjashtë i kësaj konference u mbajt për herë të parë në Prishtinë, duke mbledhur profesorë, studiues, ekspertë dhe profesionistë nga shumë shtete, me synimin për të promovuar bashkëpunimin akademik, kërkimin shkencor dhe shkëmbimin e përvojave në fusha të ndryshme multidisiplinare. Në këtë edicion të gjashtë të konferencës u prezantuan gjithsej 302 punime shkencore, prej të cilave 155 punime nga 35 shtete të ndryshme të botës dhe 147 punime nga Turqia.
Punimet u prezantuan si në formatin fizik ashtu edhe në atë online.
Konferenca u hap nga Prof. Dr. Muhamed Krasniqi, President i Konferencës dhe Drejtor Ekzekutiv i Kolegjit Tempulli, i cili në fjalën e tij përshëndetëse theksoi rëndësinë e bashkëpunimit ndërkombëtar në avancimin e arsimit të lartë dhe kërkimit shkencor.
"Sot jemi mbledhur jo vetëm për të ndarë njohuritë, por edhe për të forcuar lidhjet e bashkëpunimit përtej kufijve. Ky kongres është dëshmi e fuqisë së shkencës në bashkimin e njerëzve, kulturave dhe institucioneve. Misioni ynë i përbashkët është të avancojmë kërkimin, të nxisim inovacionin dhe të frymëzojmë gjeneratat e ardhshme të studiuesve," u shpreh Profesor Krasniqi.
Ai vlerësoi se çdo punim shkencor, diskutim dhe ide e shkëmbyer gjatë konferencës përbën një kontribut të rëndësishëm në zhvillimin e shkencës dhe në forcimin e partneriteteve ndërkombëtare ndërmjet institucioneve të arsimit të lartë.
Kolegji Tempulli mbetet i përkushtuar në zgjerimin e bashkëpunimeve ndërkombëtare, organizimin e aktiviteteve shkencore dhe krijimin e mundësive të reja për stafin akademik, studentët dhe komunitetin shkencor, duke kontribuar në promovimin e arsimit cilësor dhe kërkimit shkencor në Kosovë dhe më gjerë.
.png)


